Albanian Bible

Eksodi 1

Eksodi

Return to Index

Chapter 2

1

   Por një njeri i shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një bijë të Levit. 

 


2

   Dhe gruaja u ngjiz dhe lindi një bir; dhe, duke parë që ishte i bukur, e mbajti fshehur tre muaj. 

 


3

   Por, kur nuk mundi ta mbante më të fshehur, mori një kanistër prej xunkthi, e leu me bitum dhe katran, vendosi në të fëmijën dhe e la në kallamishtën në bregun e lumit. 

 


4

   Motra e fëmijës rrinte në një farë largësie për të mësuar se çfarë do t`i ndodhte. 

 


5

   Por vajza e Faraonit zbriti për t`u larë në lumë, ndërsa shërbëtoret e saj shëtisnin buzë lumit. Ajo pa kanistrën në kallamishte dhe dërgoi shërbëtoren e saj ta marrë. 

 


6

   E hapi dhe pa fëmijën; dhe ja, i vogli po qante; asaj iu dhimbs dhe tha: "Ky është një fëmijë hebre". 

 


7

   Atëherë motra e fëmijës i tha bijës së Faraonit: "A duhet të shkoj të thërras një tajë nga gratë hebre që ta mëndë këtë fëmijë për ty?". 

 


8

   E bija e Faraonit iu përgjegj: "Shko". Dhe vajza shkoi të thërrasë nënën e fëmijës. 

 


9

   Dhe bija e Faraonit i tha: "Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua, dhe unë do të të jap pagën tënde". Kështu gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi. 

 


10

   Kur fëmija u rrit, ajo ia çoi bijës së Faraonit; ai u bë bir i saj dhe ajo e quajti Moisi, duke thënë: "Sepse unë e nxora nga uji". 

 


11

   Në ato ditë, kur Moisiu ishte rritur, ndodhi që ai doli për të gjetur vëllezërit e tij dhe vuri re se bënin punë të rënda; dhe pa një Egjiptas që po rrihte një burrë hebre, një nga vëllezërit e tij. 

 


12

   Dhe vështroi andej e këtej dhe, duke parë se nuk kishte njeri, e vrau Egjiptasin dhe e fshehu pastaj nën rërë. 

 


13

   Ditën e nesërme doli dhe pa dy burra hebrenj që po grindeshin; ai i tha atij që kishte faj: "Pse e rreh shokun tënd?". 

 


14

   Por ai iu përgjigj: "Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? Mos do të më vrasësh siç vrave Egjiptasin?". Atëherë Moisiu u tremb, dhe tha: "Me siguri kjo gjë dihet nga të gjithë". 

 


15

   Kur Faraoni dëgjoi të flitej për ngjarjen, kërkoi të vrasë Moisiun; por Moisiu iku nga prania e Faraonit dhe u vendos në vendin e Madianit; dhe u ul afër një pusi. 

 


16

   Por prifti i Madianit kishte shtatë bija; dhe ato erdhën për të mbushur ujë dhe për të mbushur koritat për t`i dhënë të pijë kopesë së atit të tyre. 

 


17

   Por erdhën disa barinj dhe i përzunë. Atëherë Moisiu u ngrit dhe u erdhi në ndihmë, duke i dhënë të pijë kopesë së tyre. 

 


18

   Kur shkuan te Reueli, ati i tyre, ai u tha: "Vallë si u kthyet kaq shpejt sot?". 

 


19

   Ato u përgjigjën: "Një Egjiptas na liroi nga duart e barinjve; përveç kësaj mbushi ujë për ne dhe i dha të pijë kopesë". 

 


20

   Atëherë ai u tha bijave të tij: "Po ai ku është? Pse e latë këtë njeri? Thirreni, të vijë të hajë". 

 


21

   Dhe Moisiu pranoi të banojë tek ai njeri; dhe ai i dha Moisiut për grua bijën e tij, Seforën. 

 


22

   Pastaj ajo lindi një bir që ai e quajti Gershom, sepse tha: "Unë jam mik në dhe të huaj". 

 


23

   Por ndodhi që, mbas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit, dhe bijtë e Izraelit rënkonin për shkak të skllavërisë; ata bërtitën dhe britma e tyre për shkak të skllavërisë u ngjit deri tek Perëndia. 

 


24

   Kështu Perëndia dëgjoi rënkimin e tyre, dhe Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin. 

 


25

   Dhe Perëndia shikoi bijtë e Izraelit, dhe Perëndia u kujdes për ta. 

 


Eksodi 3

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: