Albanian Bible

Numrat 20

Numrat

Return to Index

Chapter 21

1

   Kur mbreti Kananeas i Aradit, që banonte në Negev, dëgjoi që Izraeli po vinte nga rruga e Atharimit, luftoi kundër Izraelit dhe zuri disa robër. 

 


2

   Atëherë Izraeli i lidhi një kusht Zotit dhe tha: "Në rast se ti ma shtie në dorë këtë popull, unë do të shkatërroj tërësisht qytetet e tyre". 

 


3

   Zoti e dëgjoi zërin e Izraelit dhe ia shtiu në dorë Kananejtë; dhe ai i shkatërroi plotësisht ata bashkë me qytetet e tyre, dhe ky vend u quajt Hormah. 

 


4

   Pastaj bijtë e Izraelit u nisën nga mali i Horit, dhe u drejtuan nga Deti i Kuq, për t`i ardhur qark vendit të Edomit; dhe populli u dëshpërua për shkak të rrugës. 

 


5

   Populli, pra, foli kundër Perëndisë kundër Moisiut, duke thënë: "Pse na nxorët nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Sepse këtu nuk ka as bukë as ujë, na vjen neveri për këtë ushqim të keq". 

 


6

   Atëherë Zoti dërgoi midis popullit gjarpërinj flakërues, të cilët kafshonin njerëzit, dhe shumë Izraelitë vdiqën. 

 


7

   Dhe kështu populli shkoi te Moisiu dhe i tha: "Kemi mëkatuar, sepse kemi folur kundër Zotit dhe kundër teje; lutju Zotit që të largojë nga ne këta gjarpërinj" Dhe Moisiu u lut për popullin. 

 


8

   Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Bëj një gjarpër flakërues dhe vëre mbi një shtizë; kështu çdo njeri që do të kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar". 

 


9

   Moisiu bëri atëherë një gjarpër prej bronzi dhe e vuri mbi një shtizë, dhe ndodhte që, kur një gjarpër kafshonte dikë, në rast se ky shikonte gjarprin prej bronzi, ai vazhdonte të jetonte. 

 


10

   Pastaj bijtë e Izraelit u nisën dhe u vendosën në Oboth. 

 


11

   Pasi u nisën nga Obothi, u strehuan në Ije-Abarim, në shkretëtirën përballë Moabit, nga ana ku lind dielli. 

 


12

   U nisën që këtej dhe u vendosën në luginën e Zeredit. 

 


13

   Pastaj u nisën që këtej dhe u vendosën në krahun tjetër të Arnonit, që rrjedh në shkretëtirë dhe vjen nga kufijtë e Amorejve; sepse Arnoni është kufiri i Moabit, midis Moabit dhe Amorejve. 

 


14

   Për këtë në Librin e Luftrave të Zotit thuhet: "Vaheb në Sufah, luginat e Arnonit 

 


15

   dhe tatëpjeta e luginave që shkon deri në banesat e Arit dhe që mbështetet në kufirin e Moabit". 

 


16

   Dhe që këtej shkuan në Beer, që është pusi për të cilin Zoti i pat thënë Moisiut: "Mblidhe popullin dhe unë do t`i jap ujë". 

 


17

   Atëherë Izraeli këndoi këtë himn: "Buro o pus! I këndoni atij! 

 


18

   Pusit, ujin e të cilit princët e kanë kërkuar dhe fisnikët e popullit e kanë gërmuar, duke u mbështetur në fjalën e ligjvënësve, me bastunët e tyre". Pastaj nga shkretëtira shkuan në Matanah; 

 


19

   nga Matanahu në Nahaniel; dhe nga Nahanieli në Bamoth, 

 


20

   dhe nga Bamothi në luginën që ndodhet në fushën e Moabit, në drejtim të lartësisë së Pisgahut që sundon shkretëtirën. 

 


21

   Pastaj Izraeli dërgoi lajmëtarë të tij te Sihoni, mbret i Amorejve, për t`i thënë: 

 


22

   "Na lejoni të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të hyjmë nëpër arat ose nëpër vreshtat, nuk do pimë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën Mbretërore deri sa t`i kalojmë kufijtë e tu". 

 


23

   Por Sihoni nuk e lejoi Izraelin të kalonte nëpër territorin e tij; për më tepër Sihoni mblodhi njerëzit e tij dhe doli kundër Izraelit në shkretëtirë; arriti në Jahats dhe luftoi kundër Izraelit. 

 


24

   Izraeli e mundi, duke e kaluar në majën e shpatës, dhe pushtoi vendin e tij nga Arnoni deri në Jakob, deri në kufijtë e bijve të Amonit, sepse kufiri i bijve të Amonit ishte i fortë. 

 


25

   Kështu Izraeli pushtoi tërë ato qytete dhe banoi në të gjitha qytetet e Amorejve, në Heshbon dhe në të gjitha qytetet e territorit të tyre, 

 


26

   sepse Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të Amorejve, i cili i kishte bërë luftë mbretit të mëparshëm të Moabit dhe i kishte hequr nga dora tërë vendin e tij deri në Arnon. 

 


27

   Prandaj poetët thonë: "Ejani në Heshbon! Qyteti i Sihonit duhet të rindërtohet dhe të fortifikohet! 

 


28

   Sepse një zjarr ka dalë nga Heshboni, një flakë nga qyteti i Sihonit; kjo ka përpirë Arin e Moabit, zotërit e lartësive të Arnonit. 

 


29

   Mjerë ti, o Moab! Je i humbur, o popull i Kemoshit! Bijtë e tij kanë marrë arratinë dhe bijat e tij i janë dhënë si skllave Sihonit, mbretit të Amorejve. 

 


30

   Por ne i qëlluam me shigjeta; Heshboni është shkatërruar deri në Dibon. Kemi shkretuar gjithshka deri në Nofah, që ndodhet pranë Medebas". 

 


31

   Kështu Izraeli u vendos në vendin e Amorejve. 

 


32

   Pastaj Moisiu dërgoi njerëz për të vëzhguar Jaazerin, dhe kështu Izraelitët pushtuan qytetet e territorit të tij dhe përzunë Amorejtë që ndodheshin aty. 

 


33

   Pastaj ndryshuan drejtim dhe u ngjitën në rrugën e Bashanit; dhe Ogu, mbreti i Bashanit, doli kundër tyre me gjithë njerëzit e tij për t`u ndeshur në Edrej. 

 


34

   Por Zoti i tha Moisiut: "Mos ki frikë nga ai, sepse unë e lë në duart e tua me gjithë njerëzit e tij dhe vendin e tij; trajtoje ashtu siç ke trajtuar Sihonin, mbretin e Amorejve që banonte në Heshbon. 

 


35

   Kështu Izraelitët e mundën atë, bijtë e tij dhe tërë popullin e tij, deri sa nuk mbeti asnjë i gjallë, dhe pushtuan vendin e tij. 

 


Numrat 22

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: