| Chapter 3 |
1 | Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij.
|
2 | Kështu Jobi mori fjalën dhe tha:
|
3 | "Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!".
|
4 | Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita!
|
5 | E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë!
|
6 | Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve!
|
7 | Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi.
|
8 | E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin.
|
9 | U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon,
|
10 | sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi.
|
11 | Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?
|
12 | Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë?
|
13 | Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,
|
14 | bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara,
|
15 | ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre.
|
16 | Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën?
|
17 | Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit.
|
18 | Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit.
|
19 | Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.
|
20 | Pse t`i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim,
|
21 | të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura;
|
22 | gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin?
|
23 | Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë?
|
24 | Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji.
|
25 | Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.
|
26 | Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi".
|