| Chapter 102 |
1 | O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.
|
2 | Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.
|
3 | Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.
|
4 | Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.
|
5 | Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.
|
6 | I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.
|
7 | Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.
|
8 | Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.
|
9 | Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.
|
10 | Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.
|
11 | Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.
|
12 | Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.
|
13 | Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.
|
14 | Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.
|
15 | Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,
|
16 | kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.
|
17 | Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.
|
18 | Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,
|
19 | sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,
|
20 | për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;
|
21 | me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,
|
22 | kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t`i shërbyer Zotit.
|
23 | Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.
|
24 | Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.
|
25 | Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua;
|
26 | ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t`i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen.
|
27 | Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.
|
28 | Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".
|