| Chapter 103 |
1 | Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.
|
2 | Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.
|
3 | Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,
|
4 | shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;
|
5 | ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.
|
6 | Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.
|
7 | Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.
|
8 | Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
|
9 | Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.
|
10 | Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.
|
11 | Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.
|
12 | Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.
|
13 | Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.
|
14 | Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.
|
15 | Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;
|
16 | në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.
|
17 | Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,
|
18 | për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t`i zbatuar në praktikë.
|
19 | Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.
|
20 | Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.
|
21 | Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.
|
22 | Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!
|