| Chapter 3 |
1 | Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia,
|
2 | sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.
|
3 | Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate;
|
4 | do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.
|
5 | Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;
|
6 | pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.
|
7 | Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja;
|
8 | kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.
|
9 | Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke;
|
10 | hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.
|
11 | Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij,
|
12 | sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.
|
13 | Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen.
|
14 | Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.
|
15 | Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të.
|
16 | Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj.
|
17 | Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.
|
18 | Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.
|
19 | Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë.
|
20 | Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë.
|
21 | Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit.
|
22 | Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.
|
23 | Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet.
|
24 | Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël.
|
25 | Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë,
|
26 | sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.
|
27 | Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.
|
28 | Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër", kur e ke me vete gjënë e nevojshme.
|
29 | Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty.
|
30 | Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe.
|
31 | Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij,
|
32 | sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm.
|
33 | Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve.
|
34 | Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit.
|
35 | Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.
|