| Chapter 12 |
1 | Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: "Nuk gjej asnjë kënaqësi në to",
|
2 | para se të errësohet dielli, drita, hëna dhe yjet, dhe të kthehen retë pas shiut;
|
3 | në moshën gjatë së cilës rojtarët e shtëpisë dridhen, njerëzit e fortë përkulen, ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak, ata që shikojnë nga dritaret errësohen
|
4 | dhe portat mbi rrugë mbyllen; kur pakësohet zhurma e mokrës, dikush çohet me këngën e një zogu, dhe gjithë bijat e këngës dobësohen;
|
5 | kur dikush ka frikë nga lartësitë dhe nga tmerret e rrugës; kur bajamja lulëzon, karkaleci është një peshë, dhe dëshira pakësohet, sepse njeriu shkon në banesën e tij të përjetshme dhe qaramanët enden rrugëve.
|
6 | Kujto Krijuesin tënd përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus,
|
7 | dhe pluhuri t`i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t`i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.
|
8 | "Kotësi e kotësive", thotë Predikuesi, "gjithçka është kotësi".
|
9 | Predikuesi, përveç se ka qenë një i urtë, i ka mësuar gjithashtu popullit dijen dhe ka peshuar, ka kërkuar dhe ka renditur një numër të madh fjalësh të urta.
|
10 | Predikuesi është përpjekur të gjejë fjalë të këndshme; dhe gjërat e shkruara janë të drejta dhe të vërteta.
|
11 | Fjalët e të urtëve janë si hostenë dhe ato që mbledhin njerëzit e ditur janë si gozhda të ngulura mirë; ato jepen nga një Bari i vetëm.
|
12 | Biri im, ruhu nga çdo gjë që del jashtë kësaj. Shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë, dhe studimi i tepërt e lodh trupin.
|
13 | Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: "Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut".
|
14 | Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.
|