Albanian Bible

Isaia 29

Isaia

Return to Index

Chapter 30

1

   "Mjerë bijtë rebelë, thotë Zoti, që bëjnë projekte që nuk vijnë nga unë, që lidhin aleanca, por pa Frymën time, për të grumbulluar mëkate mbi mëkate; 

 


2

   që shkojnë poshtë në Egjipt pa konsultuar më parë gojën time, për t`u përforcuar në forcën e Faraonit dhe për të kërkuar strehë në hijen e Egjiptit! 

 


3

   Por forca e Faraonit do të jetë turpi juaj dhe streha në hije të Egjiptit fatkeqësia juaj. 

 


4

   Sepse princat e tij kanë shkuar në Tsoan dhe ambasadorët e tij kanë arritur në Hanes. 

 


5

   Por do të turpërohen të gjithë nga një popull që nuk do t`u hyjë fare në punë, që nuk do t`iu japë asnjë ndihmë o përfitim, por vetëm turp dhe poshtërim. 

 


6

   Një profeci kundër kafshëve të Neghevit: nëpërmjet një vendi të mjeruar dhe plot ankthe, prej të cilit vijnë luanesha dhe luani, nepërka dhe gjarpëri i zjarrtë që fluturon, ata mbartin pasuritë e tyre mbi kurrizin e gomarëve dhe thesaret e tyre mbi kurrizin e deveve një populli prej të cilit nuk kanë për të përfituar asgjë. 

 


7

   Sepse ndihma e Egjiptit është e kotë dhe e padobishme, prandaj unë e quaj: "Rahab-Hem-Shebeth". 

 


8

   Tani eja, shkruaje këtë mbi një rrasë të vogël dhe shkruaje në një libër, që të mbetet për ditët e ardhshme, për gjithnjë, përjetë. 

 


9

   Sepse ky është një popull rebel, janë bij gënjeshtarë, bij që nuk duan të dëgjojnë ligjin e Zotit, 

 


10

   që u thonë shikuesve: "Mos kini vegime", dhe profetëve: "Mos na profetizoni gjëra të vërteta, na tregoni gjëra të këndshme, na profetizoni gjëra mashtruese. 

 


11

   Dilni jashtë rruge, braktisni shtegun e drejtë, largoni nga sytë tona të Shenjtin e Izraelit!"". 

 


12

   Prandaj kështu thotë i Shenjti i Izraelit: "Me qenë se ju e përçmoni këtë fjalë dhe keni besim te shtypja dhe te ligësia, dhe mbështeteni mbi to, 

 


13

   kjo paudhësi do të jetë për ju si e çarë që rrezikon të rrëzohet, një dalje te një mur i lartë, rrëzimi i të cilit ndodh papritmas, në një çast, 

 


14

   dhe thyhet si një enë prej balte të pjekur, që dikush copëton pa mëshirë duke mos mundur të gjejë në copat e tij qoftë edhe një copë për të marrë zjarr në vatër ose për të marrë ujë nga sterna". 

 


15

   Sepse kështu thotë Zoti, Zoti, i Shenjti i Izraelit: "Duke u kthyer tek unë dhe duke pushuar tek unë, do të shpëtoni; forca juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj. Por ju nuk keni dashur, 

 


16

   madje keni thënë: "Jo, ne do të ikim me kuajt tanë!". Prandaj ju do të ikni. Dhe: "Do të shkojmë me kuaj të shpejtë!". Prandaj ata që do t`ju ndjekin do të jenë edhe më të shpejtë. 

 


17

   Një mijë prej jush do të ikin nën kërcënimin e një të vetmi; nën kërcënimin e pesë vetave do të ikni me vrap, deri sa të rrini si një hu mbi majën e një mali, si një flamur mbi një kodër". 

 


18

   Prandaj Zoti do të presë për t`ju dhënë hir, pastaj ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju, sepse Zoti është një Perëndi i drejtësisë. Lum të gjithë ata që kanë shpresë tek ai! 

 


19

   O popull i Sionit që banon në Jeruzalem, ti nuk do të qash më. Ai do të të bëj nder me siguri; duke dëgjuar zërin e britmës sate; sapo të të dëgjojë, do të përgjigjet. 

 


20

   Edhe sikur Zoti t`ju japë bukën e ankthit dhe ujin e shtypjes, megjithatë ata që të mësojnë nuk do të duhet të fshihen, dhe sytë e ty do të shohin mësuesit e tu. 

 


21

   Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: "Kjo është rruga, ecni në të!". 

 


22

   Konsiderojini si të papastra shëmbëlltyrat tuaja të gdhendura të veshura me argjend dhe shëmbëlltyrat tuaja prej metali të derdhur të veshura me ar; do t`i flakni tutje si një gjë e papastër, "Jashtë!", do t`u thoni atyre. 

 


23

   Atëherë ai do t`i japë shiun për farën tënde që do të kesh mbjellë në tokë; dhe buka që toka do të prodhojë do të jetë e shijshme dhe e bollshme; atë ditë bagëtia jote do të kullosë në kullota të gjera. 

 


24

   Qetë dhe gomarët që punojnë tokën do të hanë forazhin me kripë, të ajrosur me lopatën e drithit. 

 


25

   Mbi çdo mal të lartë dhe mbi çdo kodër të lartë do të ketë rrëke dhe rrjedha uji ditën e masakrës së madhe, kur do të rrëzohen kullat. 

 


26

   Drita e hënës do të jetë si drita e diellit, dhe drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë, si drita e shtatë ditëve, ditën kur Zoti do të lidhë plagën e popullit të tij dhe do të shërojë plagën e shkaktuar nga goditjet e tij. 

 


27

   Ja, emri i Zotit vjen nga larg; zemërimi i tij është i zjarrtë dhe barra e tij e rëndë; buzët e tij janë plot indinjatë dhe gjuha e tij si një zjarr që të përpin; 

 


28

   fryma e tij është si një përrua që vërshon dhe që arrin deri në qafë për të shoshitur kombet me shoshën e shkatërrimit dhe për të vënë në nofullat e popujve një fre që t`i bëjë të përdalin. 

 


29

   Atëherë do t`ia merrni një këngë si natën kur kremtoni një festë; dhe do të keni gëzim në zemër, ashtu si ai që shkon me zërin e fyellit në malin e Zotit, në kështjellën e Izraelit. 

 


30

   Pastaj Zoti do të bëjë të dëgjohet zëri i tij madhështor dhe do të tregojë si godet me krahun e tij kur tërbohet zemërimi i tij, në flakën e një zjarri gllabërues, në mes shpërthimesh të furishme, uraganësh dhe breshëri gurësh. 

 


31

   Me qenë se Asiria do të goditet nga frika e zërit të Zotit, që do ta rrahë me shufër; 

 


32

   dhe çdo goditje që do të jepet me shkopin të cilin Zoti do të bëjë t`i bjerë mbi të, do të shoqërohet nga tingujt e dajreve dhe të qesteve. Ai do të luftojë kundër asaj duke tundur dorën në mënyrë kërcënuese. 

 


33

   Tofeti është përgatitur prej shumë kohe, ai është gati edhe për mbretin; ky e ka bërë të thellë dhe të gjerë; mbi turrën e druve për ta djegur ka zjarr dhe dru me shumicë; fryma e Zotit, si një rrymë squfuri, do ta ndezë. 

 


Isaia 31

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: