Albanian Bible

Luka 22

Luka

Return to Index

Chapter 23

1

   Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati. 

 


2

   Dhe filluan ta paditin duke thënë: ``Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t`i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti``. 

 


3

   Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: ``A je ti mbreti i Judenjve?``. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: ``Ti po thua``. 

 


4

   Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: ``Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri``. 

 


5

   Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: ``Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu``. 

 


6

   Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas. 

 


7

   Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem. 

 


8

   Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij. 

 


9

   Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare. 

 


10

   Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi. 

 


11

   Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit. 

 


12

   Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq. 

 


13

   Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin, 

 


14

   dhe u tha atyre: ``Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni, 

 


15

   dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s`ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. 

 


16

   Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj``. 

 


17

   Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë. 

 


18

   Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: ``Vraje këtë dhe na liro Barabën``. 

 


19

   Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje. 

 


20

   Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri. 

 


21

   Por ata bërtitnin duke thënë: ``Kryqëzoje!``. 

 


22

   Për të tretën herë ai u tha atyre: ``Po ç`të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj``. 

 


23

   Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese. 

 


24

   Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin. 

 


25

   Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre. 

 


26

   Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit. 

 


27

   Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të. 

 


28

   Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ``O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj. 

 


29

   Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpe dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!". 

 


30

   Atëherë do të fillojnë t`u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!". 

 


31

   Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç`do të bëhet me të thatin?". 

 


32

   Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t`i vrarë. 

 


33

   Dhe kur arritën në vendin që quhet ``Kafka``, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë. 

 


34

   Dhe Jezusi tha: ``O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç`bëjnë``. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short. 

 


35

   Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ``Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë``. 

 


36

   Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull, 

 


37

   dhe duke thënë: ``Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten``. 

 


38

   Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE". 

 


39

   Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ``Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve``. 

 


40

   Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ``A s`ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? 

 


41

   Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe``. 

 


42

   Pastaj i tha Jezusit: ``Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde``. 

 


43

   Atëherë Jezusi i tha: ``Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë``. 

 


44

   Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë. 

 


45

   Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes. 

 


46

   Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ``O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!``. Dhe, si tha këto, dha fryma. 

 


47

   Atëherë centurioni, kur pa ç`ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: ``Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!``. 

 


48

   Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç`po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin. 

 


49

   Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra. 

 


50

   Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë; 

 


51

   ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë. 

 


52

   Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit. 

 


53

   Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri. 

 


54

   Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte. 

 


55

   Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit; 

 


56

   pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit. 

 


Luka 24

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: